Pas kompletimit të përbërjes së Komisionit dhe në zbatim të Vendimit Nr. 11/08, datë 03.04.2026, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sot u mbajt takimi i parë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës (AKK), ku u diskutua organizimi i punës dhe hapat konkretë për vijimin e procesit.
Komisioni për shqyrtimin dhe vendosjen e zyrtarizimit të gjendjes faktike dhe mospërputhjeve me Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme (RDPP) ka filluar zyrtarisht punën për trajtimin e lëndëve në kuadër të Projektit të Rindërtimit të Kadastrit.
Duke pasur parasysh rëndësinë dhe ndjeshmërinë e këtij procesi për rregullimin e pronësisë, komisioni mbetet i përkushtuar për një qasje profesionale, transparente dhe të koordinuar. Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ekspertiza profesionale do të jenë elemente kyçe për arritjen e rezultateve të qëndrueshme dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në këtë drejtim, është theksuar nevoja për koordinim të menjëhershëm në mënyrë që të fillojë trajtimi i lëndëve, njëherit komisioni do të vijojë punën me intensitet të shtuar, me synim sigurimin e një procesi të drejtë dhe efikas në funksion të interesit publik dhe forcimit të sigurisë juridike mbi pronën.