Ne kuadër të projektit të avancimeve dhe zhvillimeve të sistemeve kadastrale, sot nisi trajnimi i parë për Përmbaruesit Privat, një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të proceseve digjitale, njëherit arritjes së jashtëzakonshme për këtë vit, e që është digjitalizimi i plotë i shërbimeve kadastrale në Republikën e Kosovës.
Trajnimi i sotshëm, u zhvillua në një atmosferë proaktive dhe bashkëpunuese, me shumë diskutime dhe një seancë të gjallë e të frytshme me Pyetje & Përgjigje në mes të ekspertëve të AKK-së dhe përmbaruesve, gjë që shfaq më së miri punën e palodhshme dhe arritjet e padiskutueshme të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.
Pjesëmarrësit shfaqën interes të thellë, dhe ngritën çështje praktike dhe propozime operacionale, duke dëshmuar një vullnet për aplikim të menjëhershëm të zgjidhjeve të reja, ku njëkohësisht u shkëmbyen ide, përvoja dhe praktika konkrete që ndihmojnë në zbatimin e risive teknologjike, përkitazi thjeshtësimin e ndjeshëm për profesionistët e fushës në përditshmërinë e tyre profesionale, dhe po ashtu reduktimin e nevojës për paraqitje fizike në zyrat kadastrale për qytetarët e vendit tonë.
Ky trajnim ishte pjesë e një strategjie më të gjerë për të afruar kadastrin më afër tek qytetari, me ç'rast implementimi i Gjeoportalit të Ri Shtetëror dhe ridizajnimi i funksionaliteteve ekzistuese dhe të reja, tregojnë qartazi se Agjencia Kadastrale e Kosovës, po ecën me një ritëm të shpejtë drejt digjitalizimit, transparencës dhe efikasitetit institucional.
Trajnimi i sotshëm shënon vetëm fillimin e një serie të gjerë trajnimesh që do të mbahen në ditët në vijim, ku trajnime të ngjashme do të organizohen për Ndërmjetësuesit, Noterët,
kompanitë gjeodete dhe gjeodetët e licencuar si dhe për zyrat kadastrale komunale, me qëllimin e qartë që dëshmon se ky vit ashtu siç e kemi thënë do jetë viti i digjitalizimit për të gjitha shërbimet kadastrale, ku çdo profesionist i përfshirë në sistemin kadastral do jetë plotësisht i përgatitur për të operuar në mënyrë digjitale dhe efikase.
Falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe përkushtimit të profesionistëve të fushës, digjitalizimi i plotë i kadastrit tashmë po bëhet realitet. Bashkë, për një kadastër modern, transparent dhe në shërbim të qytetarëve!