Në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Drejtori Ekzekutiv, z. Avni Ahmeti, priti në takim Zëvendësambasadorin e Kroacisë në Kosovë, z. Nedeljko Špilek , ku u trajtuan rezultatet e deritanishme të projektit të Rindërtimit të Kadastrit, veçanërisht në fushën e zgjidhjes së çështjeve të trashëgimisë dhe përmirësimit të sigurisë juridike të pronës, pa kosto shtesë për qytetarët.
Z. Špilek theksoi se interesi dhe reagimi i qytetarëve, në veçanti ai i komunitetit kroat, ka qenë inkurajues, duke vlerësuar përfshirjen e Komunës së Janjevës në këtë proces si jashtëzakonisht të rëndësishme për të dhe për zhvillimin lokal në përgjithësi. Ai shprehu mirënjohje për institucionet vendore dhe qendrore, duke nënvizuar se tashmë është momenti i duhur për të forcuar komunikimin institucional dhe për të shqyrtuar mundësitë që projekti të shtrihet edhe në Komunën e Vitisë, përfshirë fshatin Lednicë dhe vendbanimet tjera përreth, ku jeton një pjesë e konsiderueshme e komunitetit kroat.
Nga ana e tij, z. Ahmeti falënderoi për praninë dhe interesimin e tij, duke sqaruar në detaje rreth procesit dhe mbarëvajtjes së projektit të rindërtimit të kadastrit. Ai theksoi se qëllimi themelor i projektit është garantimi i shërbimeve të barabarta për të gjithë qytetarët, pa dallim, si dhe njëashtu krijimi i parakushteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Në këtë drejtim, Janjeva u vlerësua si një zonë me potencial të veçantë, për shkak të trashëgimisë së saj kulturore dhe rolit që luan në zhvillimin e turizmit lokal. Të dyja palët u pajtuan se në të ardhmen e afërt, të përfshihen edhe fshatrat tjera si zona kadastrale, si një mundësi për forcimin e mëtutjeshëm të sigurisë juridike të pronës dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve.
Takimi u mbyll me zotimin për vazhdimin e bashkëpunimit institucional dhe për thellimin e dialogut ndërmjet AKK-së dhe Ambasadës së Kroacisë, në funksion të zgjerimit të projekteve që kontribuojnë në forcimin e besimit të qytetarëve tek Agjencia Kadastrale e Kosovës.