Përfaqësuesit e Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), z.Amir Sogojeva dhe z.Patriot Hasani, po marrin pjesë në Konferencën Regjionale për Kadastër dhe Infrastrukturën e të Dhënave Hapësinore, e cila po mbahet në Brdo, në Slloveni, e cila konferencë ka mbledhur institucionet kryesore kadastrale dhe gjeohapësinore të rajonit për të diskutuar zhvillimet më të fundit, sfidat dhe prioritetet strategjike në fushën e administrimit të tokës dhe transformimit digjital.
Gjatë sesioneve të konferencës, AKK prezantoi progresin e arritur në ndërlidhjen e qytetarëve me adresat zyrtare, një proces kyç për rritjen e saktësisë së të dhënave, modernizimin e regjistrave shtetërorë dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike. Diskutimet u fokusuan në avancimin e digjitalizimit, interoperabilitetin ndërinstitucional dhe përdorimin e teknologjive moderne për të rritur efikasitetin, transparencën dhe qasjen e qytetarëve në shërbime.
Në ditën e dytë, përfaqësuesit e Sllovenisë prezantuan përvojat dhe praktikat e tyre të suksesshme në digjitalizimin e shërbimeve kadastrale dhe gjeohapësinore, duke ofruar modele konkrete për modernizimin e administratës publike dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Pjesëmarrja në këtë konferencë përfaqëson një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e reformave në fushën e kadastrit dhe infrastrukturës së të dhënave hapësinore në Republikën e Kosovës.