Pas një pune intensive dhe angazhimi të vazhdueshëm profesional, Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) ka filluar lansimin e aplikacionit të navigimit me të dhënat zyrtare të adresave në Republikën e Kosovës, “e-Adresa RKS”, i njohur ndryshe si ARIS Mobile.
Përveç funksionaliteteve të navigimit, aplikacioni ofron edhe mundësinë e përditësimit të të dhënave të adresave drejtpërdrejt nga terreni, duke e bërë procesin e mirëmbajtjes së sistemit të adresave shumë më efikas dhe më të saktë.
Sot, në kuadër të mandatit për ofrimin e mbështetjes profesionale ndaj komunave, AKK organizoi trajnimin e rradhës për zyrtarët komunalë që njëherit janë përgjegjës për adresa, rrjedhimisht duke prezantuar metodologjinë si dhe të gjitha procedurat për përditësimin e të dhënave të adresave përmes përdorimit të aplikacionit ARIS Mobile, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale të zyrtarëve komunalë dhe sigurimit të një administrimi sa më cilësor së të dhënave të adresave.
Duke pasur parasysh se adresat janë një kategori dinamike e të dhënave, ku vazhdimisht ndërtohen rrugë, objekte dhe njësi të reja banimi që kërkojnë adresim, përditësimi i rregullt i informacionit nga terreni në sistemin ARIS është thelbësor. Përmes aplikacionit ARIS Mobile (emri zyrtar “e-Adresa RKS”), zyrtarët komunalë mund të realizojnë përditësimet në mënyrë të shpejtë dhe efikase, duke pasur qasje në hartën digjitale gjatë punës në terren, pa nevojën e përdorimit të hartave apo materialeve të tjera të printuara.
Objektivi i përbashkët i AKK-së dhe komunave mbetet sigurimi i një pasqyrimi sa më të saktë dhe të përditësuar të gjendjes reale në terren, duke garantuar përputhshmëri të plotë ndërmjet të dhënave zyrtare dhe realitetit në terren.